Partia Demokratike ka reaguar me tone të forta ndaj situatës alarmante të zjarreve që kanë përfshirë vendin nga jugu në veri. Përmes një deklarate për shtyp, selia blu e akuzon qeverinë për dështim total në përballimin e krizës dhe mungesë vullneti për të investuar në mbrojtjen e qytetarëve.
“Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në të gjithë botën, por përgatitja dhe reagimi janë përgjegjësi e qeverisë. Në Shqipëri, qeveria sillet sikur jemi një vend i sapodalë nga lufta – zjarrfikës me lopata, batanije dhe mungesë të mjeteve minimale”, thuhet në deklaratë.
PD shpreh shqetësimin për mungesën e paralajmërimeve zyrtare dhe për angazhimin minimal të strukturave shtetërore për mbrojtjen e banorëve në zonat e prekura nga flakët. Ndërkohë, iu bëhet thirrje qytetarëve dhe turistëve që të evakuohen nga zonat e rrezikuara dhe të ndihmojnë çdo person në nevojë.
Në deklaratë theksohet kontrasti mes reagimit të qeverisë ndaj zjarreve dhe mobilizimit të jashtëzakonshëm të forcave shtetërore për të shembur bujtinat në Theth apo për të konfiskuar produkte të vogla në Sarandë. “Për të djegurit, vetëm lopata dhe batanije. Për shitësit e rigonit dhe bujtinat e Thethit, ushtri të tërë me mjete të rënda”, vijon më tej Partia Demokratike.
Partia më e madhe opozitare e cilëson prioritet të qeverisë luksin dhe spektaklin, jo jetën dhe sigurinë e qytetarëve. “Edi Rama shpenzon për charterë, koncerte, kopshte 4 milionë euro në oborrin e Kryeministrisë, por nuk kujtohet për emergjencat civile dhe për modernizimin e sistemit të mbrojtjes nga fatkeqësitë”.
Në përfundim, PD paralajmëron se situata do të përsëritet jo vetëm këtë verë, por edhe në sezonet në vijim, për sa kohë Shqipëria qeveriset nga një kryeministër që – sipas saj – është “me pushime, ndërsa vendi digjet”.

Be First to Comment