Skip to content

U gjet i pajetë në hotel – shuhet në moshën 81-vjeçare ish-ambasadori i njohur gjerman

Një lajm i trishtë vjen këtë të shtunë: është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum. Diplomati u gjet i pajetë në dhomën e hotelit ku po qëndronte gjatë vizitës së tij në vendin tonë.

Daum kishte mbërritur pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, një ngjarje ku ishte i pranishëm edhe Sali Berisha. Gjatë aktivitetit, ai u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij të çmuar diplomatik ndaj Shqipërisë.

Në fjalimin e mbajtur, Daum kujtoi vitet kur hapi ambasadën gjermane në Shqipëri më 1987, duke folur me emocione për lidhjen e tij me vendin dhe për sakrificën e Josif Budos, të cilën e cilësoi si “shkëndijën për një Shqipëri të re”.

Megjithëse prej vitesh larg diplomacisë aktive, Daum kishte ruajtur një lidhje të veçantë me Shqipërinë – një vend që, siç tha vetë, e kishte lënë gjurmë të thellë në jetën e tij.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem këtu, por ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe. Siç e dini, dhe më të rinjtë prej jush mund ta kenë dëgjuar, shqiptarëve atëherë nuk u lejohej të flisnin me të huajt. Por shqiptarët ishin të guximshëm, edhe nën shtypjen komuniste, dhe më afroheshin në rrugët e Tiranës, e edhe më shumë jashtë kryeqytetit. Më afroheshin kur udhëtoja nëpër këtë vend të bukur, në Durrës, në Shkodër, në Elbasan dhe në Kavajë. E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. I gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja.

LAJMI I FUNDIT  Një ‘shuplakë’ nga Amerika, për ata që besonin se Donald Trump do të rrëzonte Ramën në Shqipëri

Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri. Josif Budo pagoi çmimin më të lartë për mendimin e tij, për dëshirën dhe për dashurinë ndaj vendit të tij. Sakrifica e tij ofroi atë që ishte e nevojshme për të nisur revolucionin, jo vetëm të 3,000 njerëzve që erdhën në ambasadën time atë kohë, por të të gjithë popullit shqiptar. Sakrifica e Josif Budos ishte një moment që jo vetëm më frymëzoi mua, por edhe ata 3,000 njerëz që ndodheshin në ambasadë, edhe pse shumica prej jush jeni shumë të rinj për t’i kujtuar, dhe vetëm keni dëgjuar për to. Por ju të gjithë e dini dhe do të përcillni më tej guximin dhe sakrificën e Josif Budos, i cili vërtet ndezi Shqipërinë e re, një Shqipëri të lirë, një Shqipëri me të ardhme për të gjithë qytetarët e saj. Duhet ta dini dhe ta përcillni sakrificën e Josif Budos, e cila nuk ishte vetëm një shkëndijë për Shqipërinë, por sakrifica e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re,” tha Daum më 10 korrik 2025.

LAJMI I FUNDIT  Trump letër BE-së dhe Meksikës: Tarifa doganore prej 30% duke filluar nga 1 gushti! Reagon Von Der Leyen: Do kundërpërgjigjemi!
LAJMI I FUNDIT  Trump letër BE-së dhe Meksikës: Tarifa doganore prej 30% duke filluar nga 1 gushti! Reagon Von Der Leyen: Do kundërpërgjigjemi!

Kush ishte Werner Daum – Diplomati gjerman me një lidhje të veçantë me Shqipërinë

Werner Daum lindi në vitin 1943 dhe ishte një diplomat dhe autor gjerman me një karrierë të pasur në shërbimin diplomatik dhe në fushën e të drejtave të njeriut. Ai njihej edhe si studiues i historisë kulturore të Jemenit, Sudanit dhe vendeve të Gadishullit Arabik.

Në periudhën 1992–1995, Daum mbajti një nga postet më të rëndësishme në përfaqësimin ndërkombëtar të Gjermanisë, duke qenë Kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut në misionin gjerman në Gjenevë. Gjatë kësaj kohe, ai përfaqësoi vendin e tij në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe në organizata të tjera të OKB-së me fokus në të drejtat e njeriut.

Më vonë, ai shërbeu si ministër-këshilltar në ambasadën gjermane në Tiranë, një periudhë që la gjurmë të thella në marrëdhënien e tij me Shqipërinë. Nga viti 1996 deri në vitin 2000, Daum ishte ambasador i Gjermanisë në Sudan.

Përveç angazhimeve zyrtare, ai ishte edhe autor i disa veprave studimore, veçanërisht mbi historinë dhe kulturën e Lindjes së Mesme.

Published inBote

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *