Një tërmet shumë i fuqishëm, me magnitudë 8.8 ballë, ka goditur sot zonën pranë brigjeve të Gadishullit Kamçatka në Rusi, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale. Pas lëkundjeve, autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për cunami në disa shtete përfshirë Rusinë, Japoninë, Guamin, Hawaiin dhe Alaskën.
Sipas Institutit Rus të Gjeofizikës, ky është tërmeti më i fortë që prej vitit 1952. Epiqendra ndodhej 119 kilometra në lindje të Petropavlovsk-Kamchatsky, në një thellësi prej 20.7 kilometrash. Vetëm gjysmë ore pas tërmetit, janë regjistruar edhe dy pasgoditje të tjera, një me magnitudë 7 ballë dhe tjetra 6.5.
⸻
Valë cunami dhe evakuime në masë
Në rajonin Yelizovsky të Kamçatkës, janë regjistruar valë cunami deri në 4 metra, ndërkohë që disa persona kanë mbetur të plagosur. Guvernatori lokal, Vladimir Solodov, deklaroi se ky ishte “tërmeti më i fortë në dekada” dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg bregdetit, duke ndjekur udhëzimet zyrtare të dhëna përmes altoparlantëve.
Në Japoni, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm në pjesën më të madhe të bregdetit lindor. Valë cunami deri në 1 metër priten në Hokkaido, ndërsa lartësi më të ulëta janë parashikuar në Shikoku, Okinawa dhe pjesë të tjera të arkipelagut.
Qendrat e paralajmërimit të cunamit në SHBA kanë raportuar se valët e para kanë mbërritur në Ishujt Aleutian në Alaskë, me valë 30 cm mbi nivelin e baticës.
⸻
Autoritetet në të gjitha vendet e prekura janë në gatishmëri të lartë, ndërsa zhvillimet po monitorohen në kohë reale nga agjencitë gjeologjike dhe emergjencave civile.

Be First to Comment