Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi sot se Rusia mbetet e gatshme për negociata me Ukrainën, por theksoi se do t’i duhet kohë për të shqyrtuar me kujdes deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas Peskov, deklaratat e Trump – i cili i ka dhënë Rusisë një afat 50-ditor për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke paralajmëruar njëkohësisht mbështetje të re ushtarake për Kievin – janë të rëndësishme dhe meritojnë analizë serioze. Ai shtoi se nëse Presidenti Putin e sheh të arsyeshme, do të ketë një reagim zyrtar nga ana e tij.
Zëdhënësi rus kritikoi gjithashtu qëndrimet e Uashingtonit dhe aleatëve të NATO-s, duke i cilësuar ato si sinjale që mund të inkurajojnë vazhdimin e luftës, në vend që të nxisin dialogun dhe paqen.
Megjithatë, Peskov la të hapur derën për një raund të tretë bisedimesh me Ukrainën, duke kujtuar se dy takimet e mëparshme – përfshirë atë në Stamboll – nuk kanë sjellë rezultate konkrete. “Rusia është e gatshme të dëgjojë çdo propozim serioz nga pala ukrainase,” tha ai.
Nga ana tjetër, Trump, që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ka theksuar disa herë synimin e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit. Ndonëse më parë ka pasur marrëdhënie të ngushta me Putinin, ai tani ka ndryshuar tonin, duke kritikuar refuzimin e Rusisë për të pranuar idetë e tij për armëpushim.
Gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve, SHBA do të vendosë masa ndëshkuese ekonomike ndaj vendeve që mbështesin Moskën.

Be First to Comment