Tiranë, 29 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar një sërë pasurish ndaj një grupi kriminal shqiptar të dënuar për vjedhje në Belgjikë. Objekt i këtij hetimi pasuror janë drejtuesi i grupit D.D. dhe pesë familjarë të tij, të cilët janë shpallur fajtorë për vepra të rënda penale në shtetin belg.
Sipas SPAK, pasuritë nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme dhe dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i zhvilluar jashtë vendit. Në total, janë sekuestruar:
• 9 pasuri të paluajtshme
• 1 subjekt tregtar (“Guard Security”)
• 6 mjete (3 automjete dhe 3 motorë)
• Shuma monetare:
• 77,360 euro
• 2,055,000 lekë
• 1,150 paund britanik
• 52 orë dore,
• Mbi 35 bizhuteri,
• 32 monedha ari,
• Pajisje elektronike: 2 laptopë, 5 iPad dhe 8 kamera profesionale.
SPAK sqaroi se një pjesë e sendeve me vlerë ishin sekuestruar më herët gjatë kontrolleve në banesat e personave të hetuar, në kuadër të një kërkese për ndihmë juridike të ardhur nga autoritetet belge.
Operacioni u ekzekutua nga Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Be First to Comment