Nga Agron Gjekmarkaj
Një ditë, zilja e telefonit cingëronte si mjaullima e një shpirti të trazuar. E kapa me dyshim, me parandjenjën e një telashi që vjen kur nuk të rreh ora. Ishte vetë Bernard Banushi!
Një emër që mbetet në kufirin mes legjendës urbane dhe realitetit të ashpër. Disa e pandehin fantazi, të tjerë mit, por unë e njoh mirë: nip i Abdylit nga Golemi i Gjirokastrës, pinjoll Banushësh që dikur donin t’ia fshinin Enverit. Inxhinier, burrë me trup e me mend, por me një hijeshi të rëndë për stomakun e këtij vendi.
Në telefon, si me rrufe, shpërtheu:
— “Ora është 10! Nuk erdhët ju? Piu e zeza ty dhe Gaz Bardhin!”
U ngritëm me Gazin si dy të dënuar që shkojnë drejt qelisë. Marash Logu na përcolli me sy të përmalluar, si për në përjetësi.
Arritëm në vendin e takimit. Berni nuk na tha “Uleni”, por si hajdutë zëmë karriget. Ai thithte llullën, pa folur. Një heshtje që të mbyste. Më në fund, kroi fytin dhe u lëshua:
— “Kam muhabet me ju! Jeni bërë si dy mytyberë. Ti, Agron, ke rënë! Cilësia e shkrimit tatëpjetë. Përsëritje, temëzime koti, qerpikë, karrige, amanete, mustaqe e melodrama. Këto nuk janë shkrime politike, janë ditarë Mamicash!”
Gazi përpiqet të belbëzojë diçka:
— “Po po… ne po marrim veten… do e shikoni në shtator…”
Berni shpërthen:
— “Çfarë Shtatori?! Ju është dhënë besimi, ju jeni fshehur si minj. Në vend të luftoni farsën, bëni teatër. Do takoj Doktorin dhe do i them: t’ju fshijë të gjithëve, ty të parin birbo!”
Unë përpiqem të shpëtoj situatën:
— “Po ja, në Lezhë fituam…”
Ai godet tavolinën me grusht dhe fluturon një pako cigare:
— “Çfarë fituat more? I morët votat e Saliut e pastaj menduat se do hynin në thes vetë! Shkruani më mirë ose mos më dilni përpara!”
Pastaj i fut Gazit një shpullë pas qafe:
— “Gati kam edhe tjetrën!”
Unë, pa e menduar dy herë, ia mbatha, i kurseva vetes një shqelm nga më të bukurit.
Sapo futem në redaksi, gjej një letër nga Bora. E hidhur si çaj i zi pa sheqer:
— “Xhaxhi Agron, ‘Kronika’ ka humbur sensin e drejtësisë. Është kthyer në vatër hatëresh. S’po përballojmë dot dramat që luhen mes Tezes, Dajkos dhe Ambicieve të Babos!
Kërko publikisht nga Altin Dumani: Cili është ministri nën hetim?!
Se po më lënë mua në derë t’i përgjigjem drejtësisë për atë ‘foljen’, që më shkau në Parlament, ju qeshët si të papërgjegjshëm!
Dhe ama, publiko listën e qeverisë hije! Boll na mbajte në ankth! Do na bjerë damllaja me gjithë këtë nxehtësi!
E fundit: e more vesh që Babo ua hoqi vizën Gonxhes e Vinit për Bashkinë e Tiranës? Amanet Jorushin! Dy zezona në një ditë!”
Mbyllja? Vetëm kaq:
Kur vjen e keqja, hap derën vetë.

Be First to Comment