Ngjarja tronditëse e ndodhur më 8 korrik në Mat, ku u vra brutalisht 23-vjeçari Renis Dobra, vijon të zbulojë prapaskena të reja. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka raportuar se autorët e dyshuar të krimit janë tre vëllezër nga Tropoja – Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj – të cilët banonin në Kamzë, si dhe Petrit Çakrri, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Sipas burimeve policore, autorët kanë përdorur makina me qira për të organizuar dhe realizuar krimin. Mjetet janë marrë disa ditë përpara në Rinas dhe në zonën e Yzberishtit dhe janë ndërruar disa herë me qëllim shmangien e ndjekjes. Për tre ditë rresht, ata kanë ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e Renis Dobrës në Burrel, deri në mbrëmjen fatale të 8 korrikut, kur i riu u mor peng dhe më pas u mbyt me litar. Trupi i pajetë u gjet në liqenin e Shkopetit.
Një prej vëllezërve Bushgjokaj po hetohet për “përkrahje të autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit e tjerë të largohen drejt Kosovës. Ndërkohë, këta të fundit akuzohen si bashkëpunëtorë direkt në ekzekutimin e krimit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se autorët janë përpjekur disa herë të çaktivizojnë pajisjet GPS të makinave me qira, por pa sukses. Dyshimet kryesore janë se mes tyre dhe viktimës ka pasur një konflikt të mëparshëm personal, megjithatë nuk përjashtohet as pista e porosisë nga persona të tretë.
Babai i të ndjerit, Rifat Dobra, ka dëshmuar se i biri ishte i shqetësuar kohët e fundit, pasi kishte marrë kërcënime për shkak të një sasie të humbur droge gjatë kohës që punonte si shpërndarës. Autorët e dyshuar, sipas tij, kishin bindjen se Renisi u kishte fshehur lëndën narkotike.
Megjithëse nuk ka pasur precedentë të theksuar kriminal, Renis Dobra kishte qenë më herët nën hetim për raste të vjedhjes banesash.
Një tjetër figurë kyçe në këtë histori është Petrit Çakrri – aktualisht me mbiemrin Hoxha – i cili ka qenë dëshmitar okular në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari në vitin 1998. Çakrri rezulton të ketë pasur një sërë përplasjesh me ligjin, përfshirë arrestimin në vitin 2017 për mashtrim ndaj një biznesmeni nga Vlora, me një shumë prej mbi 4 milion lekësh.
Ai u arrestua në zonën e Golajt në Kukës, ndërsa së bashku me të është ndaluar edhe nipi i tij. Hetuesit besojnë se në telefonin e këtij të fundit ndodhen prova të vlefshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të krimit.

Be First to Comment