Policia e Shtetit ka arrestuar një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen tronditëse të 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i mbytur në Liqenin e Shkopetit mbrëmjen e 8 korrikut. Viktima dyshohet se është mbytur me litar dhe më pas është hedhur në ujë për të fshehur gjurmët.
Një nga të arrestuarit për këtë ngjarje është Petrit Çakri, i cili u kap nga forcat e rendit në zonën e Lekbibajve në Tropojë. Një tjetër person i ndaluar për të njëjtën ngjarje është Fatjon Bushgjoka, i ndaluar në Tiranë.
Por ajo që e bën edhe më të bujshme këtë çështje është fakti se Petrit Çakri rezulton të jetë një nga dëshmitarët kryesorë të vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator 1998, jashtë selisë së PD-së në Tiranë.
⸻
Dëshmi me emra dhe detaje tronditëse
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Çakri ka dhënë një dëshmi të gjatë dhe të detajuar për ngjarjen e ndodhur 27 vite më parë. Ai përmend me emër persona të armatosur të ardhur nga Tropoja, lëvizjet e makinave të tyre, vendndodhjen para dhe pas krimit, si dhe momentin e saktë të vrasjes së Azem Hajdarit.
Sipas Çakrit, Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Izet Haxhia dhe një person tjetër nga Nikla e Fushë-Krujës ishin të armatosur dhe të përfshirë drejtpërdrejt në momentin e përplasjes dhe më pas në ekzekutimin me armë të deputetit Hajdari.
“Fillimisht kam dëgjuar disa të shtëna pistolete dhe më pas breshëri të gjata automatiku”, thuhet në dëshminë e tij. Sipas tij, shumë prej personave të përfshirë në atentat u larguan me të njëjtat makina nga vendngjarja.
⸻
Nga dëshmitar në vrasje politike, te i arrestuar për krim ordiner
Emri i Petrit Çakrit, që dikur ishte në listën e dëshmitarëve kyç për një nga atentatet më të rënda politike në historinë e pluralizmit shqiptar, sot del në krye të një ngjarjeje kriminale me motive ende të paqarta.
Ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për vrasjen e Renis Dobrës, rihapja e emrit të Çakrit në opinionin publik sjell sërish në vëmendje dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, një çështje që edhe pas 27 vitesh mbetet ende e mbuluar nga shumë mistere dhe akuza për mosndëshkueshmëri.

Be First to Comment