Një rrjet kriminal që operonte nga Tirana dhe mashtronte qytetarë gjermanë është goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Me vendim të GJKKO-së, janë lëshuar 8 masa sigurie (5 arrest me burg dhe 3 arrest shtëpie), nga të cilat 6 janë ekzekutuar, ndërsa 2 persona janë ende në kërkim jashtë Shqipërisë.
Skema e mashtrimit dhe dëmet
Sipas prokurorit të çështjes, Eneid Nakuçi, hetimi i nisur në dhjetor 2023 zgjati 18 muaj dhe zbuloi një skemë të sofistikuar mashtrimi ku anëtarët e grupit telefononin qytetarë gjermanë duke u prezantuar si oficerë policie. Ata premtonin rikuperimin e dëmeve nga investime të dështuara në kriptomonedha dhe tregun FOREX, duke i shtyrë viktimat të ofronin të dhëna personale dhe financiare.
Skema përfshinte:
• Prezantim si oficerë policie të rremë;
• Premtime për përfitime financiare;
• Përdorim të kompanive fiktive për mbledhje borxhesh;
• Mashtrim me karta dhe llogari bankare;
• Mashtrime investimesh dhe të ashtuquajtura “shërbime rikuperimi”.
Në total, grupi i shkaktoi 14 qytetarëve gjermanë një dëm prej 363,501 eurosh. Megjithëse mashtrimi përfshinte edhe shtetas të tjerë të BE-së, vlera e dëmit është llogaritur vetëm mbi bazën e kallëzimeve të bëra në Gjermani.
Operacioni ‘Pandora’ dhe provat e sekuestruara
Më 18 prill 2024, u ushtrua kontroll në ambientet e një Call Center-i të paligjshëm në Shqipëri, ku u gjetën prova të shumta dixhitale dhe dokumentare. Në bazë të analizave të kryera nga autoritetet gjermane dhe shqiptare, u konfirmua se bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal që vepronte përmes një Call Center-i të paregjistruar.
Parandalimi i humbjeve dhe hetimet pasurore
Sipas Oliver Hoffman, drejtues i Zyrës Kriminale të Baden-Württemberg, janë identifikuar 7,500 tentativa mashtrimi, prej të cilave u arrit të parandaloheshin rreth 6,000, duke shmangur një dëm të mundshëm prej 10 milionë eurosh. Ai e cilësoi operacionin si shumë të suksesshëm në mbrojtjen e qytetarëve gjermanë.
Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetimet pasurore ndaj të dyshuarve, me qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që mund të jenë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Be First to Comment