Edhe pse kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim në Durrës për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij, aktiviteti në institucionin vendor vazhdon normalisht. Anuela Ristani, e cila është caktuar si drejtuesja e përkohshme, po menaxhon detyrën me angazhim të plotë dhe prani të përditshme në zyrë.
Nga burime pranë Veliajt mësohet se ai e konsideron arrestimin si të padrejtë dhe është i vendosur të ndjekë rrugën ligjore për të dëshmuar pafajësinë e tij. Sipas të njëjtave burime, pavarësisht situatës së tij aktuale, Veliaj nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut. Ai e sheh këtë qëndrim si respekt ndaj qytetarëve që i kanë besuar mandatin në zgjedhjet vendore.
Sa i takon spekulimeve për një ndërhyrje të mundshme nga Këshilli Bashkiak apo zbatimit të nenit që parashikon shkarkimin e kryetarit pas një mungese prej më shumë se 90 ditësh, burimet pranë Veliajt i kanë hedhur poshtë këto skenarë. Sipas tyre, situata aktuale nuk është rezultat i ndonjë neglizhence apo dorëheqjeje, por një proces që është në duart e drejtësisë.
Në ndërkohë, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me të ardhmen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duke lënë vend për zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.

Be First to Comment