Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se duke nisur nga data 1 gusht, Bashkimi Evropian dhe Meksika do t’i nënshtrohen një tarife prej 30% për produktet që eksportojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo nismë u bë publike përmes dy deklaratave të ndara të shpërndara në platformën Truth Social, ku Trump paralajmëroi se nëse BE-ja apo Meksika vendosin të kundërpërgjigjen ndaj kësaj mase, atëherë tarifat mund të rriten edhe më shumë.
Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Trump theksoi se marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe BE-së kanë qenë të pabalancuara ndër vite dhe se ishte koha për të vendosur kushte më të barabarta.
“Kemi pasur vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat dhe barrierat tuaja tregtare tarifore dhe jo-tarifore. Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, thuhet në letër.”
Por Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar menjëherë ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.
Në letrën e tij drejtuar Meksikës, Trump tha se nuk mendon se vendi kishte bërë mjaftueshëm për të ndaluar që SHBA-të të shndërroheshin në një “fushë lojërash për trafikim narkotikësh”.
Letra drejtuar BE-së vjen pavarësisht faktit se negociatat tregtare janë ende duke u zhvilluar midis Brukselit dhe Uashingtonit, duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje që mund të pranohet nga shtetet anëtare të unionit. Ata shpresonin të arrinin një marrëveshje para afatit të 9 korrikut, por nuk ka pasur njoftime për progresin.
Bashkimi Evropian me 27 anëtarë është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara — importet në SHBA me vlerë 605 miliardë dollarë tejkalojnë Meksikën, Kanadanë dhe madje edhe Kinën. Kategoria më e vlefshme janë ilaçet dhe produktet farmaceutike, të ndjekura nga automobilat, avionët dhe makineri të tjera të rënda.

Be First to Comment