Në fshatin Mesopotam, pjesë e bashkisë Finiq, prej disa ditësh janë duke u zhvilluar punime restauruese në Kishën e Shën Kollit – një monument i rrallë i trashëgimisë bizantine në Shqipëri.
Anna Karajani, e cila drejton këtë projekt, bëri të ditur se gjatë procesit të restaurimit janë zbuluar afreske që më parë nuk ishin identifikuar. Ato kishin mbetur të fshehura për shekuj me radhë, të mbuluara nga shtresa suva.
Projekti është mbështetur edhe nga ambasada greke në Tiranë, si pjesë e bashkëpunimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Kjo kishë konsiderohet një nga perlave bizantine të arkitekturës dhe ikonografisë në jug të vendit dhe besohet se daton nga periudha e Perandorit Bizantin Kostandin IX Monomaku. Restaurimi po realizohet në kuadër të një marrëveshjeje mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Post-Bizantine.
“Gjatë restaurimit kemi zbuluar fytyra shenjtorësh dhe fragmente murale të shekullit të XIV të, të cilat ishin mbuluar nga lyerjet e periudhave më të vona. Zbulimi i tyre ka qenë një moment shumë emocionues për ekipin”, tha drejtuesja e projektit Anna Karajani.
“Restaurimi i saj është një dhuratë jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Greqia do të vazhdojë të mbështesë projekte të tilla”, tha ambasadorja greke Konstantina Kamitsi.

Be First to Comment