Në një intervistë të mbushur me emocione dhe nostalgji në emisionin “Top Story”, Matilda Bega, vajza e aktorit të njohur Met Bega, solli në vëmendje trashëgiminë artistike të të atit dhe ndryshimet drastike që, sipas saj, kanë shoqëruar kinemanë shqiptare ndër vite.
“Këta artistë, jo vetëm im atë, janë të pavdekshëm. Janë artistë që nuk do t’i kthehen më Shqipërisë,” – u shpreh ajo me bindje, teksa ndante kujtimet për rolet ikonike të të atit, që sot mbeten të gjalla në kujtesën kolektive.
Ajo e cilësoi brezin e artistëve të viteve ’70-’80 si një pasuri të pazëvendësueshme dhe kritikoi ashpër drejtimin që ka marrë kinemaja pas viteve ’90, veçanërisht pas vitit 2000. Bega rrëfeu se ka shkuar disa herë në kinema për të parë produksione shqiptare, por shpesh është larguar e zhgënjyer.
“Refuzoj t’i shikoj. Banaliteti ka pushtuar gjithçka. Në çdo film del një markë, sepse ai që jep lekët vendos për skenarin. S’ka më përmbajtje,” – tha ajo me trishtim.
Duke kujtuar të kaluarën, ajo solli në vëmendje përkushtimin me të cilin punohej për një film:
“Atëherë skenaristët punonin për muaj të tërë, zgjidheshin me kujdes aktorët, dhe xhirimet zhvilloheshin në kushte dinjitoze, me mbështetje shtetërore. Ishte një kohë kur arti trajtohej me respekt.”
Matilda Bega foli edhe për rënien e humorit shqiptar, që dikur sipas saj, ishte i pastër dhe inteligjent:
“Humori nuk kishte fije banaliteti. Ishte për të gjithë, nga fëmijët te të moshuarit, dhe nuk bëhej për të qeshur me zor apo për të ofenduar.”
Në fund, ajo shprehu keqardhje që brezat e rinj nuk kanë më mundësinë të përjetojnë nga afër artin e vërtetë që ndërtuan figura si Met Bega dhe bashkëkohësit e tij – një trashëgimi që, megjithatë, mbetet gjallë në kujtesën e shumë shqiptarëve.
Intervista shërbeu jo vetëm si një homazh i ndjerë për një aktor të madh, por edhe si një thirrje për reflektim mbi gjendjen aktuale të artit dhe kinemasë në Shqipëri.

Be First to Comment