Marjan Rroku, ish-agjent i SHISH, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të dashurës së tij, Alda Canaj, dhe nënës së saj, Mbarime Canaj, në vitin 2001 në Tiranë, ka humbur një tjetër përpjekje ligjore për të ndryshuar fatin e tij juridik.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e depozituar prej Rrokut, duke lënë kështu në fuqi dënimin e tij të përjetshëm.
Ish-agjenti kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Tiranës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë, duke pretenduar pavlefshmëri të urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal, me arsyetimin se ai ishte firmosur vetëm nga kryesuesi i trupës gjykuese dhe jo nga të gjithë anëtarët.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tij, duke argumentuar se ankimimi ishte bërë jashtë afateve ligjore. Sipas vendimit të saj, Rroku ka paraqitur kërkesën në prill 2025, ndërkohë që kishte marrë dijeni për vendimin penal që në vitin 2014. Afati ligjor për depozitimin e një ankimi të tillë është 4 muaj, ndërsa në ligjin në fuqi në atë kohë parashikohej maksimumi 2 vjet.
Marjan Rroku ishte dënuar në mungesë në vitin 2002, pasi gjatë hetimit dhe gjykimit kishte shmangur drejtësinë. Ai u arrestua më vonë në SHBA dhe u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ku prej atëherë vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Në vitin 2016, ai kërkoi rihapjen e çështjes, por kërkesa iu refuzua në të gjitha shkallët e gjykimit, një vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Be First to Comment