THETH – Në ditën e shtatë të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, fadromat e IKMT-së, të mbështetura nga forcat e rendit, kanë vijuar ndërhyrjet në zonën e Thethit. Megjithëse atmosfera në terren ka qenë e qetë, zërat e banorëve nuk kanë munguar – këtë herë në formën më tradicionale të mundshme: një kuvend burrash para Kishës së Thethit, pak para meshës së së dielës që mbahet në orën 14:00.
Dhjetëra banorë u mblodhën këmbëkryq, për të diskutuar situatën që ka prekur jetën dhe aktivitetin e tyre. Ajo që i bashkon është një kërkesë e qartë: ndalimi i aksionit të prishjes dhe kërkimi i një zgjidhjeje që i përfshin si pjesë të së ardhmes turistike të zonës.
Në këtë takim simbolik, ku u ndjenë ritmet e traditës por edhe shqetësimi i ditëve të sotme, spikati zëri i Zef Vladit, banor i fshatit Shalë. Ai iu drejtua qeverisë me një thirrje të drejtpërdrejtë për të ndalur ndërhyrjet, duke theksuar se shumë prej objekteve të ndërtuara janë ngritur mbi toka të trashëguara brez pas brezi dhe nuk mund të trajtohen si ndërtime të paligjshme në mënyrë të verbër.
Banorët kërkojnë të përfshihen në paketën zhvillimore të maleve dhe të kenë qasje të qartë mbi mënyrat se si mund të legalizojnë dhe zhvillojnë më tej bujtinat e tyre. Ata nuk kundërshtojnë rregullin, por kërkojnë një qasje më të drejtë e më të ndjeshme ndaj realitetit të zonës.
“Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardh, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona. Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore. Ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë, kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër”, tha ai.
Nga ana tjetër, prifti i zonës ka bërë thirrje për dialog dhe mirëkuptim, duke kërkuar një zgjidhje që respekton si ligjin, ashtu edhe nevojat e komunitetit. Kujtojmë se Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka reaguar më herët publikisht, duke u pozicionuar në mbështetje të banorëve të Thethit dhe mbrojtjes së natyrës në këtë zonë të veçantë malore.
Deri më sot, janë shembur afro 70 ndërtime të konsideruara pa leje, ndërsa aksioni mbetet ende aktiv. Për shkak të tensioneve të herëpashershme mes banorëve dhe IKMT-së, në terren janë dislokuar dhjetëra forca policie për të ruajtur rendin dhe për të shmangur përplasjet e mundshme, të cilat kanë ndodhur në disa raste.
Ndërkohë, strukturat e bashkisë po angazhohen në pastrimin e zonës nga inertet, për të minimizuar ndikimin vizual dhe ambientin e prishur për turistët e shumtë që vizitojnë Thethin gjatë muajve të verës.

Be First to Comment