Pavarësisht premtimeve të përsëritura për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë, realiteti në terren vijon të jetë i zymtë. Uji me orar mbetet një problem kronik në pjesën më të madhe të bashkive të vendit dhe sipas të dhënave më të fundit nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU), për vitin 2024, kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë në rang kombëtar është vetëm 17.3 orë në ditë.
Situata më alarmante është regjistruar në qarkun e Tiranës, konkretisht në dy bashki të rëndësishme si Kamza dhe Vora. Në Kamzë, rreth 96 mijë banorë furnizohen me ujë vetëm 4 orë në ditë, ndërsa në Vorë, ku jetojnë afro 21 mijë banorë, uji i pijshëm vjen vetëm për 8 orë në ditë. Edhe pse është planifikuar që ujësjellësit e këtyre dy bashkive të bashkohen me atë të Tiranës, procesi i riorganizimit nuk është finalizuar ende, ndryshe nga 14 ujësjellës të tjerë që tashmë janë të licencuar si njësi qendrore.
Në një pasqyrë të përgjithshme, vetëm Lezha rezulton të ketë furnizim të pandërprerë me ujë, 24 orë në ditë. Ndërkohë, disa qytete të tjera si Korça, Berati, Gjirokastra, Pogradeci, Shkodra, Saranda dhe Dibra arrijnë të ofrojnë furnizim në një fashë kohe prej 20 deri në 24 orë në ditë. Të tjera zona, përfshirë edhe kryeqytetin, kanë akses në ujë të pijshëm për një periudhë prej 13 deri në 20 orë në ditë.
Përveç mungesës së ujit në orare të plota, një tjetër problem madhor mbetet “uji pa të ardhura” – një fenomen që përfshin sasinë e ujit të prodhuar që nuk faturohet. Sipas ERRU, ndonëse ka pasur një përmirësim të lehtë në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar 61.1% e ujit të shpërndarë në vend nuk është faturuar. Raporti ngre shqetësimin se mungesa e matësve individualë te konsumatorët dhe përdorimi i faturimit aforfe lejon shpërdorimin masiv të ujit, veçanërisht në zonat rurale dhe në shtëpitë private, ku uji përdoret lirshëm për ujitje dhe qëllime të tjera jashtë kontrollit.
ERRU ka rekomanduar me forcë që të gjitha shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime duhet të përqendrohen në pajisjen 100% të konsumatorëve me matësa të certifikuar, në mënyrë që të përmirësohet jo vetëm sistemi i arkëtimit, por edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për përdorimin e qëndrueshëm të një prej burimeve më të rëndësishme të jetës – ujit të pijshëm. Për momentin, sfida për një furnizim të qëndrueshëm dhe universal mbetet e hapur dhe larg realitetit të premtuar.

Be First to Comment