Analisti Andi Bushati ka komentuar aksionet e fundit të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar si lëvizje të një lideri që e ndjen veten të paprekshëm dhe të çliruar nga çdo frikë për ndëshkim.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bushati tha se Rama po vepron në shpërfillje të ligjit dhe premtimeve që i ka dhënë qytetarëve. Sipas tij, ky është një sinjal i qartë që kryeministri nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti dhe ndjehet i sigurt se nuk do të përballet me pasoja për veprimet e tij.
“Kur dikush sillet kështu, gënjen publikisht, i premton qytetarëve diçka para zgjedhjeve dhe vepron ndryshe pas tyre, kjo do të thotë që nuk ka më frikë as nga vota, as nga gjykimi qytetar. I duket vetja i paprekshëm. Edi Rama tani sillet sikur mund të bëjë ç’të dojë, sepse nuk beson më se do të ndëshkohet nga ndonjë sistem demokratik,” – u shpreh Bushati.
Duke folur për prishjen e objekteve në Theth, Bushati e quajti aksionin të padrejtë dhe të njëanshëm, duke kujtuar se vetë qeveria ka nxitur banorët të ndërtojnë, pa i pajisur me tituj pronësie për mbi tre dekada.
“Si ka mundësi që për 30 vite askush nga banorët nuk ka marrë një titull pronësie? Shteti i ka lënë në mëshirë të fatit dhe tani i shemb me fadroma. A do fajësojmë fshatarin që ka ndërtuar për të mbijetuar, apo shtetin që i thoshte ‘ndërtoni’ dhe më pas i dënonte për këtë?” – theksoi ai.
Bushati ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrimin e Ramës, i cili më parë kishte bërë thirrje publike për të sjellë të rinjtë nga emigracioni që të investojnë në bujtina në zonat malore, ndërkohë që tani i trajton si shkelës të ligjit.
Në fund, analisti solli në vëmendje edhe rastet e vendimeve arbitrare në bashki, ku sipas tij, “një njeri i vetëm” i cakton apo largon drejtuesit pa asnjë proces transparent, duke e krahasuar situatën me kohën e diktaturës.
“Nuk jetojmë në një demokraci funksionale. Më gjeni një vend demokratik ku ndodh ajo që po ndodh në bashkitë tona – që shkon ‘shoku Enver’ dhe thotë ‘largoni këta drejtorë’. Ky nuk është shtet demokratik,” – përfundoi Bushati.

Comments are closed.