Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë më 23 korrik vendimin për të shpallur të pandehur kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në të njëjtën dosje përfshihen edhe biznesmeni Mirton Lika, Gentian Sula dhe deputetja Klotilda Bushka.
Sipas dosjes së SPAK, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm për të përfituar në mënyrë të parregullt fonde publike, me qëllim pasurimin personal dhe familjar. Këto përfitime janë realizuar, sipas prokurorisë, nëpërmjet veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme, të kryera në dëm të buxhetit të Bashkisë së Tiranës.
SPAK e akuzon Ajola Xoxën për disa vepra penale të rënda:
• Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim (9 raste),
• Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,
• Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave privatë.
Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, por pas seancës së vlerësimit në GJKKO, ajo u zëvendësua me masën më të lehtë “detyrim paraqitje”.
Dëshmitë ndryshojnë – më shumë bashkëpunëtorë dalin kundër Xoxës
Hetimet kanë hyrë në një fazë intensive. Pas dëshmive fillestare të ish-financierës Adela Kondakçiu dhe biznesmenit Gentian Sula, një tjetër dëshmitare është shtuar në listën e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Bëhet fjalë për Marisa Niton (Abule), bashkëshorten e Elman Abules – një mik i afërt i Veliajt. Ajo ka pohuar se Ajola Xoxa i kishte kërkuar një apartament për shkak të mungesës së hapësirës në banesën e saj. Pikërisht ky apartament rezulton të jetë një nga pasuritë e sekuestruara nga SPAK, ku u gjetën mobilje të porositura në emrin e Ajolës.
Gjithashtu, në dosje dokumentohet mënyra se si përmes disa shoqërive të lidhura me Xoxën, janë kryer pagesa dhe qarkullime të shumta në cash, duke përfshirë shuma të mëdha me kartmonedha 500-euroshe, të cilat janë depozituar në llogaritë e këtyre subjekteve. Në total, janë dokumentuar mbi 102,000 euro të qarkulluara në mënyrë të dyshimtë në dy prej shoqërive të saj.
Hetimet vazhdojnë, dhe me dëshmitë që ndryshojnë dita-ditës, nuk përjashtohen arrestime të reja apo zbulime të mëtejshme për skemat e përfitimeve të paligjshme me burim nga fondet publike të Bashkisë Tiranë.

Be First to Comment