Gazetarja Klodiana Lala ka bërë publike detaje të reja mbi hetimet që po zhvillon SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. E ftuar në emisionin “Log” në News24, Lala tha se për herë të parë një dosje që përfshin një zyrtar të lartë politik mbështetet në dëshminë e një bashkëpunëtoreje të drejtësisë, e cila luan rol kyç në ndërtimin e akuzave.
Sipas Lalës, Adela Kondakçiu, e përshkruar si bashkëpunëtore e afërt e Ajola Xoxes, bashkëshortja e Veliajt, është kthyer në një “truri financiar” në disa prej kompanive që janë nën hetim. Ajo zotëron njohuri të detajuara mbi rrjedhën financiare të aktiviteteve që ndodhen nën lupën e SPAK.
“Për herë të parë kemi një dosje me një bashkëpunëtore të drejtësisë që është kyçe në ndërtimin e akuzës. SPAK ka në dorë fatura, kontrata, 97 dëshmi të tjera, blerje online dhe zbërthime të telefonave të sekuestruar. Tashmë gjithçka është blinduar me dëshminë e saj,” – deklaroi Lala.
Gazetarja nënvizoi se statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë nuk jepet lehtësisht, dhe se kontributi i Kondakçiut mund të shtrihet përtej kësaj çështjeje, duke ndikuar edhe në hetime të tjera që janë aktualisht në proces nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas informacioneve, në këtë dosje voluminoze janë të përfshirë mbi 30 persona, përfshirë drejtues shoqërish financiare, organizatave joqeveritare dhe figura politike, si ish-deputetja Klotilda Bushka.
“Erion Veliaj do të duhet të përballet me një të penduar të drejtësisë në sallën e gjyqit,” – përfundoi gazetarja.
Hetimi ndaj kryebashkiakut të Tiranës po shihet si një prej çështjeve më delikate që SPAK ka marrë në dorë vitet e fundit, me potencial për të sjellë zhvillime të rëndësishme në arenën politike dhe institucionale të vendit.

Be First to Comment