Prej sot, tregtimi i produkteve të bulmetit pa një faturë tatimore nuk do të jetë më i lejuar. Strukturat tatimore kanë nisur inspektimet në terren për të kontrolluar nëse gjatë blerjes, produktet shoqërohen me dokumentacion fiskal. Kjo masë vjen menjëherë pas paralajmërimit të dhënë pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ku theksoi se tashmë nuk do të ketë më as paralajmërime e as tolerime, por konfiskime të menjëhershme për çdo lloj produkti bulmeti apo qumështi që qarkullon pa faturë. Qëllimi i këtij vendimi është të mundësohet ndjekja e origjinës së produkteve dhe garantimi i sigurisë ushqimore për konsumatorin.
Qeveria beson se kur e gjithë lëvizja e produkteve bëhet përmes faturës, bëhet më e lehtë të identifikohen personat apo subjektet që abuzojnë apo vënë në rrezik shëndetin publik. Këtë qëndrim e kanë mbështetur edhe ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, të cilët gjatë një inspektimi në terren theksuan se nuk do të tolerohet asnjë shkelje që lidhet me sigurinë e ushqimit.
Por vendimi ka ngjallur shqetësime të thella te blegtorët dhe prodhuesit e vegjël, për shkak të një sërë problematikash që lidhen me sistemin fiskal dhe funksionimin e tij në praktikë. Sipas ligjit për fiskalizimin të miratuar në vitin 2019, fermerët nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore kur shesin produktin e tyre. Megjithatë, detyrimi bie mbi blerësin – që mund të jetë një grumbullues, tregtar ose përpunues – i cili duhet të lëshojë faturë për fermerin në momentin që merr mallin.
Ndryshimet ligjore të bëra në periudhën 2018-2019, që vendosën normën 0% të TVSH-së për bujqësinë, e kanë vështirësuar më tej situatën. Grumbulluesit apo tregtarët nuk kanë më interes ekonomik të lëshojnë faturë për prodhimin vendas, pasi nuk kanë mundësi të rimbursojnë TVSH-në që lëshojnë. Si rrjedhojë, në rastet kur vendosin ta bëjnë, janë të detyruar që 20% e TVSH-së ta përfshijnë në çmimin e blerjes, gjë që e shtrenjton produktin për konsumatorin fundor dhe ul konkurrueshmërinë e prodhimeve vendase.
Një tjetër problematikë që nuk mund të anashkalohet është realiteti në zona si Tirana, ku mungojnë kapacitetet e përpunimit të qumështit. Ndryshe nga qytete si Lushnja, Berati apo Gjirokastra, në kryeqytet nuk ekzistojnë fabrika përpunuese, dhe kjo e bën edhe më të vështirë për blegtorët e vegjël të shesin prodhimin. Për shumë prej tyre, alternativa mbetet tërheqja nga aktiviteti, çka mund të thellojë më tej krizën që ka vite që ka nisur në sektorin e blektorisë. Numri i krerëve të bagëtive në vend ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në më pak se 1.7 milionë, nga rreth 2.4 milionë që ishin një dekadë më parë.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë një rënie të vazhdueshme të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij gjatë vitit të kaluar, dhe ky trend ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Kërkesa për produkte të tilla është rritur, duke sjellë si pasojë një rritje të ndjeshme të importeve. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024, sipas përllogaritjeve, Shqipëria ka importuar rreth 300 milionë euro produkte bulmeti dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tyre.
Nëse nuk merren masa për të balancuar sigurinë ushqimore me mbështetjen e fermerëve dhe tregut vendas, vendimet e reja fiskale rrezikojnë të kenë pasoja afatgjata për sektorin bujqësor dhe për zinxhirin ushqimor në tërësi.

Be First to Comment