Një deklaratë bombë ka dalë në dritë gjatë një gjykimi në Gjermani, ku një shqiptar i dënuar për trafik droge ka përmendur emrin e një prokurori si bashkëpunëtor të krimit. Mediat gjermane raportojnë se në një seancë në Gjykatën e Qarkut të Hanoverit, Besim M., 41 vjeç, ka akuzuar prokurorin Yashar G. për bashkëpunim me një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës.
Besimi, i cili ndodhet pas hekurave që nga tetori i vitit 2024 dhe po vuan një dënim prej gjashtë vitesh, pretendon se prokurori ishte informatori kryesor i bandës. Ai është shprehur në gjykatë se Yashar G., që më pas rezultoi të ishte edhe hetuesi kryesor në çështjen e tyre, kishte ndarë informacion konfidencial me grupin kriminal në këmbim të ryshfetit.
Sipas dëshmisë së shqiptarit, takimi i parë me të dyshohet të ketë ndodhur në vitin 2019 në një restorant grek. Fillimisht, prokurori i ishte prezantuar si “mik”, por më vonë, gjatë një ecjeje pranë liqenit Maschsee, ai i kishte zbuluar të vërtetën: “Jam një prokuror dhe më paguajnë.”
Besimi tregon se për informatat që merrnin nga Yashar G., ata e paguanin me 5000 euro në muaj. Për të mbrojtur identitetin e tij në komunikimet përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, ata përdornin nofkën “Cop” (në anglisht: polic). Ai shton gjithashtu se për këtë bashkëpunim kishte informuar edhe një tjetër trafikant të njohur, Konstantinos S., i cili kishte arritur të arratisej drejt Dubait përpara se të arrestohej.
Hetimet kanë zbuluar se banda kishte planifikuar të trafikonte 16 ton kokainë nga porti i Hamburgut – një operacion gjigant që u shkatërrua pikërisht gjatë kohës kur Yashar G. ishte zyrtarisht përgjegjës për hetimet.
Rasti ka shkaktuar tronditje në opinionin publik gjerman, ndërsa ndaj prokurorit Yashar G. ka nisur një hetim penal për ryshfet dhe bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal.

Be First to Comment