Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur një alarm serioz mbi një fenomen të errët që prej vitesh ekziston në sistemin penitenciar shqiptar. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ajo zbuloi se vajza të njohura të ekranit dhe botës së showbiz-it – përfshirë modele, këngëtare dhe moderatore – frekuentojnë burgjet me siguri të lartë për të zhvilluar takime personale me të dënuar për krime të rënda.
Sipas Lalas, ky është një fenomen i vazhdueshëm, që ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe vijon ende sot, pavarësisht reformave në drejtësi apo ndërrimeve të qeverive. Ajo theksoi se në disa raste, hyrjet e këtyre vajzave në burgje janë kryer me kontrata fiktive, ku ato paraqiten si bashkëjetuese të të dënuarve, ndonëse nuk kanë asnjë lidhje ligjore me ta. Shumë prej tyre, sipas saj, nuk janë as nga Shqipëria, por vijnë nga jashtë, duke përfituar nga mungesat ligjore dhe kontrollet e dobëta të sistemit.
Një nga rastet më të bujshme, që Lala solli në vëmendje, lidhej me burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, ku një nga vajzat më të ekspozuara në ekran frekuentonte rregullisht qelinë e një prej bosëve të njohur të krimit. Sipas saj, situata ka shkuar deri në atë pikë sa brenda institucionit është ndërtuar një palestër për t’i krijuar kushte më “komode” të dënuarit dhe personit që e vizitonte.
Ky fenomen mori më shumë dritë pas një kontrolli të befasishëm në qelinë e Laert Haxhiut, një prej emrave më të lakuar të krimit të organizuar në vend. Gjatë këtij kontrolli u sekuestruan tre celularë, që dyshohet se përdoreshin për të komunikuar me bashkëpunëtorë jashtë burgut. Analiza e këtyre pajisjeve, sipas gazetares, zbuloi komunikime të vazhdueshme me figura të njohura të ekranit dhe modelingut, disa prej të cilave rezultonin të kenë hyrë më parë në ambientet e burgut.
Lala tha se kjo lidhje mes figurave publike dhe botës së krimit ka qenë e njohur brenda institucioneve, por nuk është trajtuar seriozisht për shkak të mungesës së vullnetit institucional dhe interesave të ndërsjella. Ajo nënvizoi se nuk bëhet fjalë vetëm për dështim nga ana e policisë së burgjeve, por për një problem më të thellë, ku i gjithë sistemi toleron, në heshtje, praktika të tilla të paligjshme.
Këto deklarata janë ndër më të drejtpërdrejtat që janë bërë deri tani në publik për këtë çështje dhe rihapin debatin mbi lidhjet e errëta midis botës së krimit, figurave publike dhe mekanizmave shtetërorë që, në vend të veprojnë, shpesh zgjedhin të mos shohin.

Be First to Comment