Pas incidentit të një dite më parë në një lokal në Vlorë, ku një kamerier 18-vjeçar u dhunua, Flamur Isufi, vëllai i efektivit të policisë Ardian Isufi, ka mohuar që vëllai i tij të ketë ushtruar dhunë ndaj të riut.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ai tha se vëllai i tij ka qenë thjesht klient në lokal dhe nuk është përfshirë në përplasjen fizike. “Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im u ngrit nga tavolina për të shmangur përplasjen dhe i kërkoi kamerierit të ishte më i kujdesshëm me klientët. As nuk e ka sharë dhe as e ka goditur”, u shpreh Flamur Isufi.
Sipas tij, situata u keqinterpretuar dhe pamjet e kamerave nuk janë bërë të gjitha publike. “Ju keni parë vetëm një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Në tavolinë ndodhej edhe një person tjetër që e kishte ftuar vëllain tim, nuk është bërë sherr për ujin siç pretendohet. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin tjetër dhe vëllai im është përpjekur të ndërhyjë për të qetësuar situatën”, shtoi ai.
Flamur Isufi tha më tej se pas ngjarjes, është zhvilluar një takim mes palëve, ku është kërkuar falje edhe nga ana e tyre. Por sipas tij, vëllai i tij është më pas dhunuar nga 15 persona dhe ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore.
“Meqenëse gazetari Enrik Mehmeti i ka të gjitha pamjet, le t’i dorëzojë të gjitha, përfshirë edhe ato kur vëllai im dhunohet. Vëllai im është tani në reanimacion, me shpatull të thyer dhe fraktura në fytyrë. Edhe vetë Enrik Mehmeti më ka thënë: ‘Më vjen keq për vëllain tuaj, nuk e meritonte.’ Unë dua që të zbardhet e vërteta. Nëse ka përgjegjësi, të mbajë përgjegjësi. Por të shihen edhe pamjet ku 15 vetë godasin një oficer policie, i cili për më tepër ka qenë 2 vjet shef qarkullimi”, deklaroi ai.
Ai përfundoi duke thënë se Kryeministri duhet të informohet plotësisht për ngjarjen, pasi sipas tij, “nuk e di që vëllai im nuk ka qenë agresori, por personi që ka ndërhyrë për të shmangur përplasjen”.

Be First to Comment