Një reformë territoriale e re po merr formë në prapaskenë, ndërsa Parlamenti i ri ende nuk ka nisur punimet. Kontaktet paraprake mes përfaqësuesve të Edi Ramës dhe Sali Berishës kanë nisur, me qëllimin për të riorganizuar ndarjen administrative të vendit përmes krijimit të 4 deri në 5 rajone të mëdha dhe një rritje të numrit të bashkive krahasuar me 61-shin aktual. Disa bashki pritet të shkrihen, të tjera të ndahen ose të rikonfigurohen me kompetenca më të zgjeruara.
Një nga ndryshimet më të thella do të ndodhë në Tiranë, ku parashikohet krijimi i një bashkie-metropol me emrin “Tirana-Kryeqytet”, e cila do të ketë një administratë të centralizuar dhe këshill të vetin. Brenda këtij territori, do të lindin disa bashki të reja të vogla, që do të kenë administratë të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por që do të varen nga bashkia kryesore për buxhetin investues. Qarku Tiranë do të pushojë së ekzistuari si njësi më vete, ndërsa Kamza është ende në diskutim nëse do të përfshihet në këtë strukturë. Vora, Kavaja dhe Rrogozhina do të ndahen nga “Tirana-Kryeqytet”.
Brenda territorit të Tiranës parashikohet ndarja në tre ose katër bashki të reja: një për zonën lindore nga Sauku drejt Elbasanit, një tjetër që mbulon Kasharin, Astirin dhe Vorën, dhe një e tretë që përfshin Freskun e deri te Dajti.
Ndryshime të tjera janë planifikuar në të gjithë vendin. Në Shkodër, Velipoja dhe Nënshkodra bashkë me Bushatin do të formojnë një bashki të re, ndërsa Vau i Dejës do të shpërbëhet dhe territori i saj do të ndahet mes Shkodrës dhe Pukës. Fushë-Arrëzi do të bashkohet me Pukën. Kukësi do të mbetet pa ndryshime, ndërsa në Dibër pritet bashkimi i Klosit me Matin dhe Bulqizës me Peshkopinë, për shkak të rënies së popullsisë dhe të ardhurave.
Në Lezhë do të krijohen dy bashki: një që përfshin Zadrimën, qytetin dhe Shëngjinin, dhe një tjetër që shkon deri në kufi me Kurbinin. Kruja do të ndahet në dy njësi të veçanta: Krujë dhe Fushë-Krujë.
Në Durrës, zona e Ishmit dhe Gjirit të Lalzit do t’i bashkohen bashkisë së re të Sukthit, ndërsa qyteti i Durrësit do të mbetet njësi më vete. Kavaja do të zgjerohet duke përfshirë Rrogozhinën, ndërsa Peqini do të marrë disa territore të kodrave të Pezës. Elbasani pritet të ndahet në dy bashki, duke përfshirë edhe Labinotin. Librazhdi dhe Përrenjasi do të bashkohen në një njësi të vetme.
Në juglindje, Korça do të pësojë ndryshime me bashkimin e Voskopojës dhe Dardhës, ndërsa Maliqi do të zgjerohet me disa fshatra të zonës fushore. Devolli do të mbetet bashki më vete. Erseka dhe Leskoviku do të ndahen në dy bashki. Në Berat nuk do të ketë ndryshime: bashkitë Berat, Skrapar, Kuçovë dhe Dimal do të qëndrojnë. Lushnja dhe Divjaka gjithashtu do të mbeten siç janë. Në Fier do të krijohet bashkia e Apollonisë, që përfshin bregdetin.
Në jug, strukturat aktuale të bashkive të Vlorës, Sarandës, Himarës dhe Finiqit do të mbeten të pandryshuara. Në Gjirokastër, disa njësi rurale do të transferohen për të zgjeruar Libohovën, ndërsa Dropulli do të mbetet njësi më vete. Tepelena dhe Memaliaj pritet të bashkohen në një bashki të përbashkët.
Për sa i përket rajoneve, ato do të jenë katër ose pesë në total. Një në veri, dy në Shqipërinë e Mesme dhe dy në jug. Një prej rajoneve të jugut do të përfshijë territorin nga Lushnja deri në Sarandë, ndërsa tjetri do të mbulojë zonën nga Elbasani deri në Ersekë. Këto rajone do të kenë administratë të vetën dhe do të marrin përsipër përgjegjësi si ujësjellës-kanalizimet, bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë. Bashkitë do të humbasin kompetencat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, që do të kalojnë në kompetencë të rajoneve.
Një nga çështjet më të debatueshme është mënyra e zgjedhjes së drejtuesve të rajoneve: me votë të drejtpërdrejtë apo përmes këshillave të rajonit të përzgjedhur nga partitë. Frika nga krijimi i figurave të reja politike ka shtyrë shumë aktorë të favorizojnë modelin me lista partiake.
Reforma synohet të përmbyllet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027 dhe ka për qëllim një riformatim të thellë të administrimit vendor dhe hartës institucionale të vendit.

Be First to Comment