Pas incidentit të një dite më parë në një lokal në Vlorë, ku një kamerier 18-vjeçar u dhunua, Flamur Isufi, vëllai i efektivit të Policisë së Shtetit Ardian Isufi, ka mohuar publikisht që vëllai i tij të ketë qenë personi që ka ushtruar dhunë. Në një intervistë për “Off the Record” në A2 CNN, Isufi kërkon që e gjithë e vërteta të dalë në dritë përmes pamjeve filmike të plota.
“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Le të nxjerrin të gjitha pamjet. Vëllai im ka qenë pushim dhe ka shkuar të pijë një kafe në lokal. Në tavolinë ka gjetur edhe një tjetër person, të cilin nuk e njihte më parë, por që e kishte ftuar dikush. Kanë porositur kafe dhe ujë, nuk ka pasur konflikt për shishe uji. Ai kamerieri sjell dy bidona dhe me shaka thotë ‘pijeni dhe këtë’, çka ka irrituar personin tjetër”, shprehet Isufi.
Sipas tij, Ardian Isufi ka tentuar të shmangë konfliktin: “I ka thënë kamerierit të sillet mirë sepse është i vogël. Personi që është irrituar nuk është vëllai im. Ata janë ulur më pas me babanë e djalit, kanë folur dhe janë ndarë pa konflikt”.
Isufi shton se efektivi është rrahur nga 15 persona dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore: “Vëllai im është në reanimacion, me shpatull të thyer dhe fraktura në fytyrë. Ai nuk ka ushtruar dhunë, por është sulmuar. Gazetari Enrik Mehmeti ka qenë prezent dhe më tha: ‘Ardi nuk e meritonte, por nuk e dinim situatën’. Turp që ndodhi kjo në qytetin tonë”.
Duke u drejtuar edhe kryeministrit, Flamur Isufi kërkon që të verifikohet me kujdes çdo detaj i ngjarjes: “Personi që ka goditur nuk është vëllai im. Vëllai im është ai që përpiqet t’i ndajë. Dua të publikohen pamjet ku 15 persona e sulmojnë, edhe pse e dinin që ishte oficer policie. Ka qenë dy vite shef qarkullimi. Edhe kryeministri, nëse do kishte informacionin e plotë, do reagonte ndryshe”.
Ngjarja vazhdon të jetë nën hetim, ndërsa pamjet filmike mbeten kyçe për zbardhjen e plotë të incidentit.

Be First to Comment