Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Malin e Zi, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka kryer një krim të dyfishtë brenda familjes së tij, duke vrarë vajzën e tij të mitur dhe më pas duke i dhënë fund jetës së vet. Tragjedia është regjistruar në zonën e Golijës, rreth 50 kilometra nga qyteti i Nikshiqit.
Sipas autoriteteve vendase, autori i dyshuar, një shtetas me inicialet Ž.D., fillimisht ka pasur një konflikt të ashpër me bashkëshorten, të cilën edhe e kishte dhunuar fizikisht. Më pas, ai ka marrë vajzën 2-vjeçare dhe është larguar në rrethana të paqarta nga banesa familjare.
Ngjarja u zbulua nga babai i autorit, i cili lajmëroi policinë pasi gjeti trupat e pajetë të djalit dhe mbesës në një zonë të izoluar malore. Policia konfirmoi vdekjen e të dyve dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Dyshohet se babai e ka mbytur ose vrarë vajzën e vogël dhe më pas ka kryer vetëvrasje. Ende nuk janë bërë të ditura motivet e sakta, por një nga pistat kryesore të hetimit është gjendja e përkeqësuar mendore e autorit pas konfliktit në familje.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Malin e Zi, ndërsa Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë ka marrë përsipër hetimin e çështjes, duke përfshirë ekspertiza të thelluara për të sqaruar çdo aspekt të kësaj tragjedie familjare.

Be First to Comment